Përshkrim
Turqia ose Tyrqia (turqisht: Türkiye), zyrtarisht Republika e Turqisë (turqisht: Türkiye Cumhuriyeti), është një shtet transkontinental në Euroazi, që shtrihet kryesisht në Azinë e Vogël dhe me një pjesë të vogël në Gadishullin Ballkanik në Evropë.[10] Turqia është një republikë parlamentare, demokratike e sekulare me një trashëgimi të shumëllojshme kulturore.[11] Turqia kufizohet me tetë vende: me Greqinë në perëndim; me Bullgarinë në veriperëndim; me Gjeorgjinë në verilindje; me Armeninë, Azerbajxhanin e Iranin në lindje, me Irakun në juglindje dhe me Sirinë në jug. Turqia në perëndim laget nga Deti marmara, në veri nga Deti i Zi dhe në jug nga Deti Mesdhe. Bosfori, Deti Egje dhe Dardanelet e ndajnë Trakinë dhe Azinë e Vogël; gjegjësisht Evropën dhe Azinë.[12] Vendndodhja e Turqisë i ka dhënë asaj rëndësi gjeopolitike dhe strategjike përgjatë historisë.[13][14]
Turqia është e banuar që në paleolit[15] nga qytetërime të ndryshme të lashta anadollake, siç ishin asirianët, greqishtfolësit antike, trakët, frigët, urartët dhe armenët.[16][17][18] Pas pushtimit nga Leka i Madh, kjo trevë u helenizua, një proces që vazhdoi edhe gjatë Perandorisë Romake dhe gjatë kalimit në Perandorinë Bizantine.[17][19] Selxhukët filluan mërgimin në këtë trevë në shekullin XI, duke filluar kështu procesin e turqizimit, që u përshpejtua pas fitores së selxhukëve ndaj bizantinëve në Betejën e Mancikertit në vitin 1071. Sulltanati i Rumit sundoi Azinë e Vogël deri me pushtimin mongol në vitin 1243, kur u shpërbë në disa principata të vogla turke.
Lexo me shumë mbi Turqinë